Skuadra italiane kërkon shërbimet e "Messit të Kosovës"
Pas interesimit të Barcelonës dhe Milanit, tani në garë për yllin e Kombëtares së Kosovës, Edon Zhegrova, është edhe klubi italian, Lazio.
Media italiane, raportojnë se Lazio është duke e mbikëqyrur situatën e futbollistit kosovar në klubin e tij, Genkun, pasi që synon ta transferojë atë.
Pasi që afati kalimtar i janarit do të mbyllet nesër, më 31 janar, një transferim i tillë do të duhet të presë deri në përfundim të këtij sezoni, kur hapet afati kalimtar i verës.
Lazio nuk do ta ketë të lehtë t’i sigurojë shërbimet e 19-vjeçarit, pasi që në garë për të janë edhe ky klube të tjera të mëdha evropiane si Barcelona dhe Milani.
Mirëpo, Lazio synon të përfitojë nga marrëdhënia e mirë me Genkun, me të cilët ka bashkëpunuar edhe në të kaluarën, kur ka arritur ta transferojë Sergej Milinkovic-Savic.
Kontrata e Zhegrovës me Genkun nuk përfundon deri verën e vitit 2020, mirëpo ylli i Kosovës mund të largohet nga klubi belg edhe më herët, për shkak të numrit të ultë të minutave në të cilët është aktivizuar në ndeshjet e këtij sezoni.

No comments