Merret vendimi se a do të suspendohen ndeshjet e Serisë A
Presidenti i Federatës së Futbollit të Italisë, Gabriele Gravina, kishte paralajmëruar se mund të suspendohen ndeshjet e Serisë A, një gjë e tillë tanimë është bërë e ditur se nuk do të ndodhë dhe ndeshjet e kësaj fundjavë do të vazhdojnë ashtu siç ishte planifikuar.
Fitorja e Interit me rezultat 1-0 ndaj Napolit mbrëmë u prish nga skenat e tmerrshme pasi që katër tifozë u therën me thikë, një tifoz vdiq pasi u shkel me furgon dhe Kalidou Koulibaly ishte viktime e koreve raciste.
“Do të ketë futboll të shtunën. Ndeshjet do të zhvillohen ashtu siç ishte planifikuar. Liga nuk do të ndalet”, ka thënë Gravina për gazetarët gjatë një konference për shtyp.
Para kësaj deklarate, Gravina e kishte mbajtur një tjetër konferencë për shtyp, ku kishte paralajmëruar se ndeshjet e kësaj fundjave mund të mos zhvillohen, varësisht nga bisedimet me ministrin italian dhe Komitetin Olimpik të Italisë.
“Do ta shqyrtojmë mundësinë e suspendimit të Serisë A. Tani duhet ta marrin një moment për t’u koordinuar brenda federatës. Kemi një problem me rendin publik dhe si e tillë, duhet ta menaxhojmë këtë gjë, si dhe faktin se a do të ketë lojë apo jo”, ka thënë Gravina.
“Jam i shqetësuar për këtë klimë të pabesueshme. Unë nuk jam psikolog, por është e qartë se disa nga lojtarët në San Siro ishin të shqetësuar. Tani, jemi në një periudhë reflektimi sepse ajo që ndodhi është shumë serioze”.
“Do të dëgjojmë nga ministri dhe nga Komiteti Olimpik i Italisë dhe pastaj do ta marrin një vendim. Ne jemi duke e verifikuar nëse kishte tri kërkesa për ndaljen e ndeshjes, mirëpo duket se vetëm një e tillë ishte bërë”.
“Sot do të fillojnë punën prokurorët dhe ata do ta thonë fjalën përfundimtar, por ajo që ndodhi ishte shumë gjë e keqe. Lojtarët ishin të shqetësuar në fushë. Arbitri do ta thotë mendimin e tij, por nëse edhe ai gaboi, atëherë do ta shqyrtojmë edhe situatën e tij”.

No comments