Çudira shqiptare, arbitri lë ndeshjen për shkak të ofendimeve
Një miqësore që ndërpritet, pasi ekipi kundërshtar luan fort, ndërsa arbitrat ofendohen dhe shahen me “libër shtëpie” për një penallti të akorduar. Mirë se vini në rubrikën “çudira shqiptare”. Gjithçka ka ndodhur gjatë sfidës së djeshme miqësore mes Turbinës dhe Sopotit.
Në vend që të ishte thjesht një sfidë ku trajnerët të kishin mundësi të shihnin formën e lojtarëve dhe të provonin të rinjtë, ai takim zgjati vetëm 45 minuta. Kjo, pasi Turbina nuk pranoi të vazhdonte pjesën e dytë për shkak të ndërhyrjeve të rënda të futbollistëve të Sopotit, raporton Panorama Sport.
Loja ka nisur e fortë që në minutat e para dhe janë librazhdasit që luajnë ashpër. Kjo gjë ka shqetësuar shumë drejtuesit e Turbinës që i kanë kërkuar drejtuesve të Sopotit të ndërhyjnë, pasi nuk është “luftë”, por një test miqësor. Tensioni ka vazhduar edhe në minutat në vijim ku kryesori nga Elbasani, Andi Zdrava ka paralajmëruar disa herë lojtarët miq.
Ndërhyrjet pa top dhe loja që i kalonte caqet e një futbolli normal ka nervozuar kampin cërrikas me në krye trajnerin Sinan Bardhi. Do të vinte minuta e 44-t dhe pas një krosimi në zonën mike, një nga lojtarët e Sopotit e prek topin me dorë dhe arbitri Zdrava jep penallti. Në këtë moment, drejtuesit miq ofendojnë kryesorin dhe asistentin e parë, Tedi Ibërshimi. Ky i fundit tërhiqet nga loja, pasi është sharë dhe ndierë i ofenduar.
Nga pika e bardhë sulmuesi shtatlartë Bërdufi tregohet i saktë dhe mposht portierin mik Alliu. Me këtë gol përfundon pjesa e parë, ndërsa stafi i Turbinës me në krye teknikun Bardhi ka tërhequr ekipin në shenjë proteste për lojën tepër brutale të skuadrës mike. Këta të fundit kanë kërkuar që të luhet pjesa e dytë, gjë që stafi cërrikas nuk ka pranuar dhe fraksioni i dytë nuk është luajtur, edhe pse nuk kanë munguar debatet nga ana e stafeve drejtuese.

No comments