Guardiola: Ne nuk mund të garojmë kundër Barcelonës dhe Real Madridit
Trajneri spanjoll i Manchester Cityt, Pep Guardiola, ka thënë se përkundër që skuadra e tij është kampione në fuqi e Premier Leagues, nuk mund të garojë kundër Barcelonës e Real Madridit në tregun për transferimin e lojtarëve.
Manchester City është interesuar për yllin 21-vjeçar të Ajaxit dhe Kombëtares së Holandës, Frenkie De Jong. Mirëpo, në garë për holandezin janë edhe disa klube të tjera evropiane, si Barcelona, Real Madridi dhe Paris Saint-Germaini.
Përderisa Guardiola nuk e përmendi emrin e de Jongut në intervistën e tij pas ndeshjes kundër Wolves, ai pranoi se Manchester City do ta ketë të vështirë ta mposhtë Barcelonën e Real Madridin kur është fjala për transferimin e ndonjë lojtari.
“Natyrisht, kur ti je i përfshirë në një garë kundër Barcelonës dhe Real Madridit, do të humbasësh. Duhet të jesh më i shpejtë se ta, si dhe më efektiv. Por, unë nuk jam duke folur për rastin e lojtarit të Ajaxit”.
“Nuk po flas për të pasi që ai është pjesë e skuadrës së Ajaxit. Ka shumë lojtarë të tjerë, e jo vetëm ai, nëse kjo gjë nuk ndodh. Kur shpenzuam shumë para sezonin e kaluar, e bëmë sepse lojtarët ishin më të vjetër, 30 apo 31-vjeçarë”.
“Por, nuk mund ta bëjmë këtë gjë çdo sezon. Ne e kemi një limit dhe nuk mund të shpenzojmë më shumë sepse duhet të jemi të kujdesshëm me lojtarët dhe sezonin tjetër do të shikojmë se çfarë mund të përmirësojmë”, deklaroi tekniku spanjoll.

No comments