Breaking News

Fituesja e Topit të Artë: Kam ëndërruar dhe luftuar që kam arritur deri këtu

Ada Hegerberg, futbollistja më e mirë në botë, ka qenë duke e shijuar anonimitetin që i ofron asaj një fshat i vogël në Norvegji, Sunndal. Pushimi dimëror, thotë sulmuesja e Lyonit, erdhi në momentin e përsosur, pas incidentit në mbrëmjen e ndarjes së çmimit “Topi i Artë”.

Hegerberg arriti ta fitojë “Topin e Artë” për kategorinë e grave, pas vitit të mrekullueshëm që e pati me Lyonin, mirëpo triumfi i saj mbeti nën hijen e komentit seksist nga prezantuesi i ceremonisë, Martin Solveig.
23-vjeçarja i tha jo dhe tentoi të largohej nga skena, para se të pranonte të vallëzonte nën ritmet e një kënge tjetër. Solveig kërkoi falje menjëherë pas përfundimit të ceremonisë, duke treguar se i kishte kërkuar falje edhe Hegerbergut për komentin e tij.
Mirëpo, Hegerberg e kaloi lehtësisht këtë incident pasi që ajo ishte përballur me sfida të tjera edhe gjatë fillimit të karrierës së saj, kur të tjerët nuk ishin të sigurt nëse ajo do t’ia dilte ta realizonte ëndrrën e saj.
“Është shumë e thjeshtë të shkosh në shtëpi, të qëndrosh me shoqërinë dhe familjen e të bësh biseda të këndshme. Nganjëherë mund të ndihesh e vetmuar. Luan, shkon në shtëpi, ushqehesh, përgatitesh për stërvitjet e së nesërmes. Nuk jam makinë, më mungon i fejuari im, më mungon familja ime”, ka thënë Hegereberg.
“Në fushë, unë nuk frikësohem nga askush dhe nga asgjë. Më intereson vetëm të luaj mirë dhe harroj gjithçka tjetër. Në jetën e përditshme, jam një njeri tjetër. Unë ndihem e dobët nganjëherë. Duke qenë kjo që jam ka bërë që unë të marr shumë goditje drejt e në fytyre. Por, i dua të gjitha ato”.
“Kur isha 15-vjeçare, hyra në ekipin e parë. I besoja vetes, por nuk isha arrogante. Unë vetëm e doja këtë gjë kaq shumë saqë u thosha edhe njerëzve dhjetë vjet më të mëdhenj se unë që të luajnë më mirë. Por, kisha respekt për ta”.
“Ndoshta njerëzit habiten që unë dukem më e madhe. Kur je e vogël dhe dëshiron të arrish diçka, njerëzit do t’i kenë gjithmonë mendimet e tyre. Por, nëse ke besim, beson në vlerat e tua dhe ke njerëz të mirë përreth, do t’i kalosh këto sfida”.
“Nëse njerëzit kanë një problem me mua apo me sjelljen time, atëherë duhet të vijnë dhe të ma thonë këtë gjë para fytyrës. Askush nuk e ka bërë këtë gjë deri më tani dhe, fatkeqësisht, besoj se ky është realiteti”.
Hegerberg është vetëm 23-vjeçare dhe është tri herë fituese e titullit UEFA Champions League. Ajo pritet t’i arrijë 300 gola në karrierën e saj këtë vit, duke i kaluar kështu edhe Lionel Messin dhe Cristiano Ronaldon.
Tap icon by Icons8

No comments