Ish-lojtari i Real Madridit dënohet për sulm seksual
Gjykata Mbretërore e Sheffieldit ka dënuar ish-futbollistin e ekipit të të rinjve të Real Madridit, Niall Mason, me dy vjet burg me kusht për shkak të një sulmi seksual që e kishte bërë më 18 shkurt të vitit 2018.
22-vjeçari e kishte sulmuar gruan gjatë një feste private vitin e kaluar. Ai ia kishte tërhequr flokët dhe e kishte futur dorën e tij nën bluzën e gruas gjatë kësaj feste në Doncaster të Anglisë.
Gjykatësi Jeremy Richardson, i cili dha dënimin për futbollistin e Doncasterit, klub ky në League One, nivelin e tretë të futbollit në Angli, i tha Masonit se ai i ka zhgënjyer edhe futbollistët e tjerë.
“Ti nuk ka zhgënjyer vetëm veten me këtë sjellje të pahijshme, por i ke zhgënjyer të gjitha bashkëlojtarët e tij. Njerëzit i konsiderojnë futbollistët si shembull, për të mirë ose për të keq, e veçanërisht të rinjtë, dhe ata do ta shohin këtë lajm në gazeta”, ka thënë gjykatësi Richardson.
“Çfarë shembulli të tmerrshëm ke dhënë. Për fat të keq, ti ke turpëruar profesionin e futbollistëve.
Prokurori Gordon Stables bëri të ditur se sulmi kishte ndodhur gjatë kohës kur viktima kishte qenë duke biseduar me një shoqe të saj.
“I akuzuara [Mason] i tërhoqi flokët gruas dhe e tërhoqi atë drejt vetes. Ajo tentoi të largohej, por ai vazhdonte duke e tërhequr. Ajo i tha atij: ‘Kam të dashur’”, ka treguar Stables.
Më vonë, Stables sqaroi sesi Mason e kishte futur dorën e tij, pa leje, nën bluzën e gruas, ia kishte ledhatuar lëkurën dhe pastaj kishte urdhëruar viktimën ta mbulonte pjesën e zbuluar të lëkurës.
Gruaja, e cila nuk mund të emërohet për arsye ligjore, e kishte injoruar Masonin. Stables tregon se Mason e kishte futur përsëri dorën nën bluzën e saj, këtë herë duke i prekur edhe pjesët intime të saj.
“Gruaja kishte mbetur plotësisht e tronditur. Ajo i tregoi shoqes së saj dhe i goditi dorën lojtarit. Pastaj, tregoi edhe njerëzve përgjegjës në atë festë për këtë sulm seksual”, ka bërë të ditur Stables.

No comments