Luka Modric dëshpëron tifozët e Interit: Dua të pensionohem te Real Madridi
Luka Modric i ka mbyllur derën një transferimi të mundshëm nga Real Madridi në Inter, menjëherë pasi e fitoi Topin e Artë të hënën në Paris.
Gjatë verës u raportua bujshëm për kalimin e Modricit në Inter, ndërsa pak muaj më parë e përditshmja italiane “Gazzetta dello Sport” pohoi se mesfushori kroat ishte i trishtuar në Madrid.
Megjithatë, Modric u shpreh ndryshe në fjalimin e tij pas fitimit të Topit të Artë të hënën në mbrëmje.
“I kam dy vite të mbetura dhe shpresoj që do ta kem edhe një tjetër [në kontratë me Madridin]”, tha Modric.
Madje ai insistoi se dëshiron të pensionohet në Real Madrid.
“Klubi më ka shfaqur shumë dashuri prandaj do të doja të pensionohem në Real Madrid. Familjes sime i pëlqen dhe dua të vazhdojë ta shijoj këtë klub të madh”, deklaroi ai.

No comments