Messi: Djali më detyron të flas pas humbjes dhe t’ia shpjegoj përse s’kemi fituar
Ylli i Barcelonës dhe Argjentinës, Lionel Messi ka folur përsëri për ndryshimin e madh në shtëpinë e tij, nga një vend ku ishte ndaluar të flitej pas një humbjeje të hidhur në një shtëpi ku ai tani detyrohet të shpjegohet.
I gjithë ky ndryshim vjen si pasojë e djalit të madh të Messit, Thiagos, i cili tani i kupton gjërat dhe flet shumë për futbollin.
Në një intervistë për World Soccer, Leo zbuloi se djali i tij i madh, Thiago tashmë 6 vjeç, si dhe i dyti, Mateo, e pëlqejnë futbollin tej mase. Ai thotë se Thiago ka kritikuar disa herë tashmë.
“Ai e ndjek Barcelonën, Champions Leaguen dhe La Ligan. Ai përcjell çdo gjë. I pëlqen shumë dhe më bën pyetje dhe më jep kritika kur gjërat nuk shkojnë mirë”, tha Messi.
Dikur ishte e ndaluar të flitej për futboll në shtëpinë e Messit, veçanërisht kur sulmuesi argjentinas kthehej nga një humbje e hidhur. Ama, tani çdo gjë ka ndryshuar. Messi e pranon se nuk është më si më parë.
“Tani s’është më si dikur. Është gjithmonë e vështirë t’i pranosh humbjet dhe paraqitjet e këqija, por Thiago më detyron të komentoj për atë që ka ndodhur dhe të shpjegoj përse nuk kemi fituar. Tani ne flasim shumë më shumë”, përfundoi Messi.

No comments